1,93 milionë punëtorë i kanë munguar Gjermanisë në tremujorin e dytë

Në tremujorin e dytë të vitit 2022, pra në prill, maj dhe qershor 2022, në Gjermani ka pasur 1.930.000 vende të lira pune në mbarë vendin, që është shifër rekorde prej fillimit të matjeve në vitin 1992. Kështu thuhet në studimin e fundit të Institutit për studime të tregut të punës dhe të profesioneve në Gjermani (IAB). Ky është instituti i Agjensisë për Punë, që merret me studime të rregullta në këtë fushë.

Këto shifra dëshmojnë se Gjermania po përballet vërtet, si kurrë më parë, me mungesën e fuqisë punëtore. Rekordi nga tremujori i kaluar, pra nga tremujori i parë i vitit 2022 është tejkaluar. Sepse, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, numri i vendeve të lira të punës në tremujorin e dytë është rritur me gati 190.000 vende të lira pune, ose 11 për qind më shumë. Nëse i krahasojmë këto shifra me një vit më parë, numri i vendeve të lira të punës në tremujorin e dytë të vitit 2022 krahasuar me ate të vitit 2021, është rritur për 764.400 vende të lira pune, ose 66 për qind.

Cani Travel

Sipas të dhënave të Institutit gjerman për ekonomi (IW) në këtë moment, Gjermanisë i mungojnë më shumë se gjysmë milioni punëtorë të kualifikuar. Eksperetët nuk presin përmirësimin e shpejtë të gjendjes në këtë fushë. Ata thonë se në të ardhmen, jo vetëm që do të ashpërsohet gjendja me mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore, por shumë shpejt do të ndodhë që në dyqane të mos ketë në rafte disa prodhime të caktuara, e do të mungojnë kuadrot edhe në disa shërbime të caktuara. Kjo mungesë mund të shkaktojë edhe të ashtuquajturin efekt domino, që do të thotë se mungesa e fuqisë punëtore në një fushë, do të shkaktojë probleme edhe në fusha të tjera. Sipas instituteve të përmendura, problemet më të mëdha me mungesën e fuqisë punëtore në Gjermani aktualisht janë, në sektorin e kujdesit shëndetësor, në informatikë, në teknologji, në sektorin e punës sociale, në arsim, në fushën e konsulencës juridike, në sektorin e tatimeve dhe në biznes. Por mungojnë edhe noterë, avokatë, arkitektë, inxhinierë, e madje edhe artistë dhe gazetarë. Po ashtu, ka mungesa të mëdha të punëtorëve në profesionet e shumta të zejtarisë, sepse në Gjermani është shtuar vitet e fundit numri i të rinjve që vendosin të studiojnë dhe të gjejnë ndonjë profesion më të mirë ku pagesat janë më të larta, sesa të aftësohen për punë në zejtari apo fusha të tjera ku kërkohet më shumë punë fizike.

Autoritetet gjermane po përpiqen të gjejnë zgjidhje ligjore dhe të bëjnë lehtësime për ardhjen e fuqisë së kualifikuar punëtore nga vende të tjera, por deri tani vetëm pjesërisht kanë pasur sukses. Njëkohësisht, në Gjermani në korrik numri i të papunëve është rritur për 107.000 vetë, që do të thotë se aktualisht ka rreth 2.470.000 të papunë. Kjo ka të bëjë edhe me shtimin e numrit të azilkërkuesve nga Ukraina, të cilëve u është mundësuar që menjëherë pas regjistrimit të paraqiten në Agjensinë për punë dhe të kërkojnë vende pune.