Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka përgatitur projektligjin për reformën e ligjit për shtetësinë gjermane, me të cilin parashikohet edhe dyshtetësa, gjë që deri tani nuk ishte e mundur, përveç ne raste të caktuara. Pra, në të ardhmen do të lehtësohet procedura e marrjes së nënshtetësisë gjermane,e do të lejohet edhe dyshtetësia. Projektligji është dorëzuar në qeveri më 5 janar. Pas miratimit në qeveri, ai dërgohet për miratim në Bundestag dhe Bundesrat, ku mund të ketë edhe ndryshime.
Sipas këtij projektligji, shtetësia e Gjermanisë do të mund të merret pas pesë vitesh të qëndrimit në Gjermani dhe jo si deri tani pas tetë vitesh, e në raste të veçanta të integrimit të mirë edhe pas tre vitesh. Fëmijët e lindur në Gjermani do të mund të marrin pasaportat gjermane nëse një prej prindërve të tyre jeton në Gjermani pesë vjet e më shumë me letra të rregullta. Me projektligjin e Ministrisë së Brendshme parashikohet edhe thjeshtësimi dhe lehtësimi i dëshmive për njohjen e gjuhës dhe për integrim. Për shembull, personat e moshës 67 vjeç e më shumë, nuk kanë nevojë të kenë testin për integrim apo testin e njohjes së gjuhës gjermane. Qëllimi është që këta persona të shpërblehen për kontributin e dhënë në punë, si brezi i punëtorve që ka dhënë një kontribut shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Gjermanisë.
Një prej ndryshimeve më të rëndësishme është mundësia e dyshtetësisë, që është shumë relevante për të gjithë ata që duan të mbajnë shtetësinë e vendit të tyre të origjinës apo të prindërve të tyre, kur bëhet fjalë për fëmijët e lindur në Gjermani. Sidoqoftë, në të ardhmen askush nuk do të detyrohet të çregjistrohet nga shtetësia e tanishme, nëse do të marrë shtetësinë gjermane. Sipas rregullave aktuale, dyshtetësinë mund të kenë vetëm personat e vendeve të Bashkimit Evropian apo personat të cilët për shkaqe të ndryshme politike nuk mund të çregjistrohen nga shtetësia e tanishme.Megjithatë, ekzistojnë edhe disa raste, ku as me ligjin e ri nuk do të lejohet marrja e shtetësisë gjermane. Atë nuk mund ta marrin personat që nuk i respektojnë normat elementare të barazisë së burrave dhe grave, si dhe personat e martuar me më shumë se një grua njëkohësisht.
Projektligji mbi shtetësinë gjermane ka shkaktuar tashmë shumë reagime në Gjermani dhe po kritikohet nga opozita konservatore dhe një pjesë e opinionit publik. Politikani i CDU-së,Thorsten Frei tha se Gjermania është vend imigrimi, por „kjo nuk do të thotë që të jepet nënshtetësia gjermane kujt të dojë.“ Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e kritikoi projektligjin dhe e quajti madje “zhvlerësim të shtetësisë gjermane” dhe “mospërfillje të interesave gjermane”.