Gjermania ka vendosur që me datë 2 shkurt të heqë obligimin e mbajtjes së maskave kundër virusit Corona për udhëtime me trena, autobusë dhe në të gjithë trafikun publik. Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach tha se obligimi i mbajtjes së maskave do të hiqet zyrtarisht në të gjithë vendin me këtë datë. Maskat mbeten të obligueshme vetëm në spitale dhe në institucionet tjera shëndetësore, njofton Diaspora Today.
Ministri Latuterbach tha se „heqja e maskave është bërë e mundshme për shkak se gjendja me pandeminë në Gjermani është stabile“. Shifrat e infektimeve nga virusi Corona nuk janë shtuar tepër, në popullatë është krijuar imuniteti i domosdoshëm, gjendja në spitale është e tendosur por stabile dhe e përballueshme. Lauterbach dhe këshilltarët e tij thonë se maskat mund t’i mbajë kush të dojë, por ato nuk janë të obligueshme nga data 2 shkurt. Ndryshe, sa i përket masave të tjera, shumë mosmarrëveshje ka akoma sa i përket karantinimit për peronsat e infektuar. Kjo çështje rregullohet në nivelin e landeve, ndaj disa lande e kanë hequr, e të tjerat edhe më tej kërkojnë që të infektuarit nga virusi Corona të mbeten në izolim për një periudhë të caktuar kohore.
Ndryshe në Gjermani akoma ekzistojnë qendra për testime. E për shkak të përhapjes masive të virusit Corona, Gjermania ka paralajmëruar shtetasit e vet të mos udhëtojnë pa nevojë në Kinë.