Berlin: Propozohet lehtësimi i procedurës për ndërrimin e gjinisë

Qeveria gjermane miratoi dje (23.08.2023) të ashtuquajturin Ligj të Vetëvendosjes, me të cilin, të gjithë në Gjermani do të mund të përcaktojnë vetë gjininë dhe emrin e tyre dhe t’i ndryshojnë ato përmes një procedure të thjeshtë në zyrën e gjendjes civile.

Sipas Ministrisë së Familjes dhe Drejtësisë, ligji u drejtohet personave transgjinorë, ndërgjinorë dhe jobinarë. Me ‚Ligjin Trankseksual“ nga viti 1980 që është ende në fuqi, individët ishin të detyruar të marrin një vlerësim prej dy ekspertëve – mjekë – dhe një vendim gjykate për të ndërruar gjininë në dokumente zyrtare. Ligji i ri e thjeshtëson këtë procedurë.

Cani Travel

MInistrja për Familje në qeverinë gjermane, Lisa Paus thotë se „në këtë mënyrë ne mund t’ua kthejmë dinjitetin atyre që kanë qenë të privuar nga ai për dekada“.

Edhe Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann (FDP) e vlerësoi pozitivisht këtë ligj, duke theksuar se ai është një sukses i koalicionit tripartiak në pushtet dhe e mbrojti atë kundër dyshimeve. Ai tha për gazetën e Berlinit „Tagesspiegel“ se reforma ka të bëjë me lirinë dhe dinjitetin e personave transgjinorë. Shteti nuk duhet t’i trajtojë ata më si „të sëmurë“.

Ligji i ri duhet të miratohet në Bundestag, e pritet se atje do të ketë mendime të ndryshme, sepse ai kritikohet, veçanërisht nga partitë opozitare CDU/CSU dhe AfD.