Gjermani: Burgim i përjetshëm për kosovarin që vrau gruan e tij

Një burrë 37-vjeçar me prejardhje nga Kosova u dënua dje me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Landit në Aachen për vrasjen e gruas së tij. Gruaja 28-vjeçare humbi jetën në parkingun e një dyqani materialesh ndërtimore pasi u godit 20 herë me thikë, përpara disa dëshmitarëve.

Gruaja kishte lënë burrin e saj me prejardhje nga Kosova, dhe ishte zhvendosur në një strehimore për gratë me tre fëmijët e saj. I pandehuri ka pranuar krimin në një prononcim të shkurtër në fillim të gjykimit, por gjithashtu ka thënë se nuk i kujtohen më detajet.

Cani Travel

Dy ish-bashkëshortët ishin marrë vesh të takoheshin më 20 maj në parkingun përballë selisë së policisë në Aachen për të dorëzuar vajzën e tyre, shkruan spiegel.de. Por burri nuk e ka sjellë fëmijën me vete dhe ka sulmuar 28-vjeçaren me thikë kasapi. Gjashtë nga goditjet me thikë ishin fatale, është thënë nga trupi gjykues.

Sipas gjykatës, i pandehuri më pas ka kaluar ngadalë me makinë pranë gruas që po vdiste dhe e ka filmuar atë me celularin e tij. Celulari dhe arma e vrasjes nuk u gjetën kurrë. Disa orë më vonë ai u dorëzua.