Rritje e frikshme e numrit të infektimeve në Gjermani

Në Gjermani është rritur shumë numri i të infektuarve brenda një jave. Instituti Robert Koch rekomandon me urgjencë: vaksinohuni, testohuni dhe reduktoni kontaktet.

Brenda vetëm dy javësh incidenca e infektimeve në Gjermani është rritur nga rreth 70 në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh, në më shumë se 145 të infektuar në 100.000 banorë. Për këtë shkak Instituti Robert Koch ka paralajmëruar nga rreziku i lartë i infektimit dhe mundësia e ngarkesave tepër të mëdha të spitaleve. „Për shkak të treguesit aktual të infektimeve në shtatë ditë, ekziston një probabilitet më i madh i kontakteve infektuese“, thuhet në raportin e fundit të RKI.

Prandaj ai „rekomandon me urgjencë“ që njerëzit të vaksinohen kundër Covid-19 dhe të kujdesen që të kenë mbrojtjen e plotë. Në raportin javor të RKI theksohet, se tendenca e rritjes s infektimeve vërehet në të gjitha grupmoshat. Rritje e ndjeshme u vu re tek të moshuarit, sidomos tek njerëzit mbi moshën 90 vjeç, por rritje të mëdha ka pasur edhe tek grupmoshat më të reja.

Cani Travel

RKI rekomandon që të reduktohen kontaktet e panevojshme dhe të respektohen rregullat për mbrojtjen nga infektimi. RKI pohon se numri i të infektuarve tek personat e vaksinuar ka qenë shumë i vogël. RKI konstaton, se ka një „efekt të dukshëm“ të vaksinimeve kundër Coronës në pengimin e sëmundjes të Covid-19 dhe shtrimet në spitale.

Rreziku i mbingarkesës së spitaleve

Nëse kjo tendencë e rritjes së infektimeve vazhdon, ka shqetësim për mbingarkesën në klinika. Kryetari i Shoqërisë së Spitaleve Gjermane, Gerald Gaß, u shpreh, se brenda një jave janë shtruar më shumë pacientë me Corona në spitale. „Nëse kjo tendencë vazhdon, kemi për dy javë sërish 3000 pacientë në pavionët e trajtimit intensiv“, tha ai për „Rrjetin redaksional Gjermania“. Me këtë shifër klinikat mund të punojnë, por jo pa pasur efekte në punën e përditshme të mjekësisë në spitale.

Edhe presidenti i Shoqatës së Mjekëve të Intensivit, Gernot Marx shprehet për „Rrjetin redaksional Gjermania“, dhe thekson, se vërtet aktualisht të gjithë pacientët po trajtohen plotësisht, por „për këtë diku refuzohen operacione të tjera apo tërhiqet personeli i infermierisë nga pavionë të tjerë.