Kryeministri malazez, Dritan Abazoviq, ka ofruar që Mali i Zi të jetë nikoqir i raundit të ardhshëm të negociatave mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë dhe të mbështesim procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Abazoviq, duke shtuar se Mali i Zi ka një rol pajtues në rajon. Ai theksoi se Mali i Zi nuk është pjesë e dialogut, por propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë në të cilën fitojnë edhe Serbia edhe Kosova.
Duke komentuar propozimin e kryeministrit të Malit të Zi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se është i kënaqur që dialogu është bërë popullor në rajon, por megjithatë selia e dialogut është ende në Bruksel. „Ne jemi të kënaqur që shohim se dialogu po bëhet popullor në rajon dhe se gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë mundësinë për ta pritur atë, por ne po ecim hap pas hapi, selia e dialogut është në Bruksel”, deklaroi Stano.