BQK: Diaspora ka dërguar në Kosovë 1.22 miliardë euro në vitin 2022

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë vitit 2022 në Kosovë janë dërguar 1.22 miliardë euro nga diaspora. Fjala është për rreth 69.4 milionë euro, apo 6% më shumë se në vitin 2021. Sipas informacioneve të “Instituti Gap”, Gjermania vazhdon të mbetet shteti nga i cili dërgohen më së shumti para, dhe në përqindje kjo përbën rreth 40%.

Në vendin e dytë është Zvicra, nga ky vend janë dërguar 19% të remitencave. Po ashtu, sipas statistikave nga BQK, nga viti 2020 kur filloi pandemia Covid-19, vërehet një rritje e pranimit të parave përmes agjencive për transfere të mjeteve. Kjo do të thotë se ka pasur rënie të dërgesave përmes kanaleve jozyrtare, pra sjelljes së parave kesh nga diaspora gjatë vizitave të tyre në Kosovë.

Cani Travel

Një rritje e dërgesave të parave gjatë vitit 2022 vërehet edhe tek diaspora e Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, emigrantët e Shqipërisë dërguan 834 milionë euro në vendlindje gjatë vitit 2022. Fjala është për një rritje nga 9.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas vlerësimeve të INSTAT, Shqipëria ka një diasporë prej afërsisht 1.7 milionë banorësh, nga të cilët pothuajse një milionë janë të shpërndarë në vende të ndryshme të Evropës. Mbretëria e Bashkuar po bëhet një destinacion që po tërheq gjithnjë e më shumë shtetas të Shqipërisë, sidomos të rinj.