Berlin: Alketa Gashi-Fazliu prezanton librin e saj të ri

Gazetarja, moderatorja dhe shkrimtarja e njohur, Alketa Gashi-Fazliu do të prezantojë librin e saj të ri “Ato gdhendin dhimbjen” më 7 dhjetor 2023 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin. Prezantimin e ka organizuar Ambasada e Kosovës në kryeqytetin gjerman.

Pas prezantimit do të zhvillohet edhe një diskutim me autoren dhe koktej rasti, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani.

Cani Travel

Libri i ri i Alketa Gashi-Fazliut zgjoi një vëmendje të madhe të lexuesve dhe kritikëve letrarë.

Prof. Dr Muhamet Mala, historian dhe recensent i librit “Ato gdhendin dhimbjen” e vlerëson lart këtë vepër.

“Autorja Gashi-Fazliu është përkujdesur që përmes rreshtave, të shkruara me mjeshtri dhe kujdes, po edhe me ndjenjën e dhimbjes dhe emocionit t’i paraqes rrëfimet më autentike të 15-të nënave shqiptare që u vranë bijtë në luftë, dëshmitë e tyre janë të thjeshta, por shumë të fuqishme dhe emocionale. Ato shprehen përmes gjuhës mallëngjyese që buron nga shpirti i tyre i lënduar, por njëherit janë edhe origjinale dhe të padëgjuara deri tani”, shkruan Muhamet Mala.