Berlini kërkon nga Serbia të përcaktohet – a është me BE apo me Rusinë?

Berlini kërkon që Serbia të përcaktohet qartë nëse është për rrugën drejt Bashkimit Evropian ose për një partneritet me Rusinë, shkruan gazeta gjermane „Die Welt“, duke iu referuar burimeve të saj të afërta me qeverinë gjermane. “Një vendim i qartë lidhur me këtë është gjithnjë e më i domosdoshëm, sidomos kur merren parasysh zhvillimet aktuale gjeopolitike”, citon gazeta një zyrtar të paemëruar nga qeveria e Berlinit. 

Në vazhdim thuhet se në Berlin ishin “të habitur dhe të zhgënjyer” kur ish-ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviq nënshkroi në shtator një marrëveshje me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, duke rënë dakord të bisedonte për politikën e jashtme.

Cani Travel

Siç thotë më tej burimi i gazetës „DieWelt“, në Berlin mbizotëron përshtypja se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është një politikan me përvojë, i cili është i vetëdijshëm për pozicionin aktual mes BE-së dhe Rusisë. “Do të bëhet gjithnjë e më e pakëndshme të ulesh në atë gardh”, tha burimi. Zyrtari gjerman konsideron se është koha që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të kërcejë nga gardhi. “Nëse ai merr rrugën për në Evropë, ai do të ketë mbështetje, nga BE në tërësi dhe nga qeveria gjermane”, tha burimi.“Nëse ai zgjedh rrugën tjetër, kjo do të ketë pasoja për të ardhmen e Beogradit me BE-në“, tha zyrtari i qeverisë gjermane. 

Këto ditë në Berlin po zhvillohet një aktivitet i gjallë diplomatik lidhur me Ballkanin. Shumë ekspertë të rajonit dhe politikanë gjenden aktualisht në Berlin, ku të enjtën, më 3.nëntor do të mbahet samiti i Procesit të Berlinit. Në këtë tubim duhet të nënshkruhen marrëveshjet për lirinë e lëvizjes dhe njohjen e dokumenteve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.