Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha mbrëmë (14.11.2022) në Bruksel se është i gatshëm të caktojë një takim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në nivelin më të lartë „nëse negociatorët bëjnë përparim drejt një zgjidhjeje praktike për targat para 21 nëntorit“. Me këtë datë, autoritetet e Kosovës do të fillojnë me gjobitjen e qytetarëve që kanë vetura me targa ilegale të lëshuara nga Serbia. Borell shtoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 21.nëntor, mund të përballemi me një situatë shumë të rrezikshme.
Siç bëhet e ditur, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka arritur mbrëmë me ekipin e tij në Bruksel, ku do të do të takohet me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakun. Me Bislimin ka udhëtuar edhe ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila është tani këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Pritet se në Bruksel do të vijnë edhe përfaqësuesit e Beogradit zyrtar, por ende nuk dihet kur, e nuk është paralajmëruar as kush do të jetë në delegacionin e Serbisë në këto bisedime.