Bruksel: Nuk u realizua takimi trepalësh Kurti-Vuçiq-Borell

Takimi i djeshëm në Bruksel rreth normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa sukses. Ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak nuk ia dolën të organizojnë takimin trepalësh Kurti-Vuçiq-Borell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimeve në Bruksel në një konferencë për media tregoi se takimi trepalësh nuk është realizuar, sepse Qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes bazike e cila është dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar dhe është pasuar nga aneksi i zbatimit që është pjesë integrale, nga 18 marsi i 2023-tës.

Cani Travel

Kurti theksoi së një nga kërkesat e palës kosovare është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radojiçiqit autoriteteve të Kosovës. „Ne nuk mund ta ngjallim reshterin e vrarë Afrim Bunjakun, por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radojiçiqin”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se takimi dypalësh me përfaqësuesit e BE-së, Komisionerin e Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borell dhe ndërmjetësuesin, Miroslav Lajçak, ka qenë i suksesshëm. Por, takimi trepalësh me kryeministrin e Kosovës nuk u realizua, sepsë, siç tha ai, „Albin Kurti, nuk guxonte ose nuk donte të takohej me Vuçiqin.“