Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebookut thotë se ky emër nuk mund të pasqyrojë më të gjithë gamën e produkteve të kompanisë. Por Facebook do të vazhdojë të quhet i tillë.
Ajo që do të ndryshojë, është emri i kompanisë, e cila në të ardhmen do të quhet me emrin Meta. Zuckerberg dëshiron që me emrin e ri ta drejtojë fokusin në botën e re virtuale „Metaverse“, në të cilën ai sheh të ardhmen e komunikimit digjital dhe gjithashtu të kompanisë së tij.
Zuckerberg dëshiron që kompaninë ta nxjerrë nga hija e platformësorigjinale dhe deri tani më të rëndësishme, Facebook. Përveç Facebooku dhe Instagramit, grupi i kompanisë përfshin edhe aplikacionet WhatsApp dhe Messenger. Këto shërbime individuale do të mbajnë gjithashtu emrat e tyre. „Ne shihemi sot si një kompani e mediave sociale, por në zemër jemi një kompani që lidh njerëzit”, tha Zuckerberg.
Përveç emrit të ri, Facebook prezantoi edhe një logo të re. Facebook dhe Zuckerberg janë nën presion të jashtëzakonshëm: rregullatorët dhe politikanët në mbarë botën kanë akuzuar gjigantin e internetit për disa kohë që nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme kundër përhapjes së mesazheve të urrejtjes dhe ngacmimeve në platformat e tij, për shkeljen e privatësisë së përdoruesve të tij, si një altoparlant për dezinformata të rrezikshme për të shërbyer dhe dëmtuar mirëqenien e përdoruesve të rinj të internetit.
Ndryshimi i emrit mund ta bëjë më të lehtë për rrjetin më të madh online në botë me 2.9 miliardë përdorues në mbarë botën, që të përmirësojë imazhin e tij dhe të distancohet nga lajmet e këqija për platformat e tij si Facebook, WhatsApp dhe Instagram.
Në funksion të rritjes së presionit kundër Facebook, ky hap shihet si përpjeklje që „të përmirësojë reputacionin e kompanisë“. Së fundmi, informacionet dhe zbulimet për zhvillimet brenda kompanisë të ish-punonjëses së Facebookut, Frances Haugen ka bërë bujë. Haugen akuzon ish-punëdhënësin e saj se i vendos fitimet e veta mbi sigurinë e përdoruesve dhe të mirën e përbashkët. Facebook i ka mohuar me vendosmëri akuzat.
Por Facebook nuk është korporata e parë e Silicon Valley që ndryshon emrin e kompanisë për të sinjalizuar se drejtimi i kompanisë është zgjeruar. Në vitin 2015, për shembull, Google themeloi një kompani të re holding të quajtur Alphabet mbi grupin.