Filmi „Afterwar“ për pasojat e luftës në Kosovë shfaqet në Berlinale 2024

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton se filmi AFTERWAR i xhiruar në Prishtinë do ta ketë premierën botërore në Berlinale 2024, si pjesë e programit PANORAMA. Festivali i Berlinit mbahet nga 15 deri më 25 shkurt.

Fjala është për një bashkëpunim produksionesh nga Kosova, Danimarka, Suedia dhe Finlanda. Ky film rrëfen kujtimet që ende ndjekin njerëzit nga përjetimet e luftës në Kosovë.

Cani Travel

“Regjisorja daneze e filmit, Birgitte Stærmose, e kishte nisur incizimin e një filmi të shkurtër me një grup fëmijësh në Kosovë para 15 vjetëve. Fëmijët po shisnin kikirikë e cigare në rrugët e Prishtinës për të mbijetuar pas luftës. Të njëjtët fëmijë bëhen burra para syve tanë, përderisa përpjekja për mbijetesë bëhet përpjekje për një të ardhme”, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në një bashkëkrijim me kastën Gëzim Kelmendi, Xhevahire Abdullahu, Shpresim Azemi, Besnik Hyseni dhe Luan Jaha, regjisorja Stærmose ka krijuar një film mahnitës në rrafshin kinematografik e mbërthyes në rrafshin emocional, dhe një portret kolektiv të një gjenerate të tërë të të mbijetuarve, i cili menjëherë tërheq paralele me të gjithë fëmijët e kapur nga luftërat sot.

“Filmi është prodhuar nga “Magic Hour Films”, në bashkëprodhim me “Kabineti” nga Kosova, “Vilda Bomben Film” nga Suedia dhe “Bufo” nga Finlanda, me përkrahjen e Institutit Danez të Filmit, Qendrës Kinematografike të Kosovës, Institutit Suedez të Filmit, Fondacionit Finlandez të Filmit, AVEK, Yle dhe Fondacionit “Fritt Ord”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.