Lirim Krasniqi, bashkëdrejtor ekzekutiv në Germin, tha se ndikimi i diasporës në Kosovë është shumë i madh. Ai tha se për këto vjet diaspora ka dërguar shuma të mëdha parash dhe se ka një trend të rritjes së remitancave.
Krasniqi sot në RTK ka folur për ndikimin që mërgimtarët tanë kanë në Kosovë.
“Është e vërtetë që ndikimi i diasporës në shumë fusha është shumë i madh në Kosovë, ne kemi fatin që kemi pasur një trend të rritjes së remitancave, por edhe të investimeve që vijnë nga jashtë në këtë rast edhe nga diaspora”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, shqetësimet e biznesmenëve nga diaspora janë për disa arsye, duke përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, si dhe problemet burokratike.
„Ne e kemi realizuar në fund të vitit të kaluar një anketë me mbi 540 biznese nga diaspora, të cilat i kemi intervistuar drejtpërdrejt. Shumica prej tyre i shohin problemet burokratike dhe sistemin e drejtësisë në Kosovë si shqetësim kryesor. Kjo çështje nuk është vetëm problem i diasporës; këtë problem e kemi edhe ne. Nuk kemi arritur të krijojmë një sistem të drejtësisë funksional, i cili i zgjidh çështjet në një kohë të arsyeshme. Nuk është se problemet nuk zgjidhen, por kërkojnë shumë kohë dhe kjo nuk u përshtatet biznesmenëve,“ tha Krasniqi.
(RTK)