Gjermania dënon dhunën në veri të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka dënuar mbrëmë (29.05.2023) sulmet ndaj KFOR-it në veri të Kosovës, ku janë lënduar disa persona. “Dënojmë ashpër sulmet e dhunshme të papranueshme në veri të Kosovës pasditen e sotme, ku janë plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR/NATO-s dhe disa civilë. Mendimet tona janë me të lënduarit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë”, thuhet në kumtesën e MPJ-së së Gjermanisë.

“Bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune dhe të çdo veprimi që ndez tensionet. De-përshkallëzimi tani nevojitet urgjentisht. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në bisedime për këtë qëllim pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, të arritur në shkurt dhe mars, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”- theksohe në këtë kumtesë.

Cani Travel

Ministria e Jashtme e Gjermanisë shton se mbështet plotësisht Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij për të ulur tensionet.