Autoritetet e azilit të vendeve të BE vazhdojnë të përballen me presion të madh për shkak të nivelit të lartë të kërkesave. Ky është vlerësim i analizës së Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA).
EUAA bën të ditur se në tetor 2023, kërkesat për azil u rritën në 123,000, që është shifra më e lartë mujore në shtatë vjet. Duke u bazuar në tendencat aktuale, ka të ngjarë që vendet e BE të marrin mbi një milion aplikime për azil deri në fund të vitit.
Sirianët (24,000) mbetën edhe në tetor në krye të kërkesave për azil në BE, me një rritje të konsiderueshme prej 30% nga tetori 2022, duke përbërë një të pestën e të gjitha kërkesave të paraqitura.
Po ashtu, Gjermania (34,000) mbeti edhe në tetor destinacioni kryesor për azilkërkuesit në BE, duke marrë 27% të të gjitha aplikimeve. Në fakt, Gjermania mori më shumë aplikime se dy vendet e ardhshme pranuese së bashku: Franca (17,000) dhe Italia (16,000), secila duke marrë respektivisht 14% dhe 13% të të gjitha aplikimeve.