Ministria e Jashtme gjermane reagoi ndaj situatës së re në veri të Kosovës dhe largimit të serbëve nga institucionet e vendit, duke u angazhuar për zgjidhjen e problemeve nëpërmjet dialogut Serbi-Kosovë.
„Jemi shumë të shqetësuar për përshkallëzimin e situatës“, tha zëvendës-zëdhënësja e ministrisë së Jashtme gjermane, Andrea Sasse, në konferencën e rregullt për shtyp të qeverisë gjermane. E kemi thënë shpesh se për Ballkanin Perëndimor, por sidomos për raportin mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të largohemi nga vështrimi periodik në humnerën e skadimit të afateve, theksoi ajo, njofton Diaspora Today.
Andrea Sasse u angazhua për arritjen e një kompromisi dhe për zgjidhjen e konflikteve me dialog. „Apeli ynë urgjent u drejtohet të dyja palëve në konflikt, Kosovës dhe Serbisë, që të përmbahen e të mos e përshkallëzojnë më tej situatën dhe që ta zgjidhin këtë konflikt realisht në dialog të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën”, tha zëvendës-zëdhënësja e ministrisë së Jashtme gjermane.