Policët serbë në veri po largohen nga Policia e Kosovës, gjendja e qetë dhe nën kontroll

Policia e Kosovës ka njoftuar se deri tani janë larguar me qindra policë serbë nga ky institucion. Policët serbë po i dorëzojnë edhe pajisjet, bëri të ditur Policia.

Ministri i Policisë Xhelal Sveçla thotë se gjendja e sigurisë është e qetë dhe nën kontroll, por Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe sot ka pasur dorëheqje të zyrtarëve policor serbë në drejtorinë rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut.

“Numri i njoftimeve për dorëheqje të punonjësve të uniformuar dhe të atyre civil nga rendi publik, kufiri dhe hetimet, të cilët deri më tani i kanë dërguar njoftimet në rajonet dhe stacionet policore ka arritur deri në pesëqind e shtatëdhjetë e tetë (578) punonjës. Disa prej tyre janë në proces të dorëzimit të pajisjeve, ndërsa disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara”, thuhet në njoftim.

Cani Travel

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për shtyp tha se ata do të vazhdojnë me zbatimin e vendimit për targat dhe i bëri thirrje serbëve të veriut të mos bien pre e instrumentalizimit. Sa i përket propozimit franko-gjerman, Kurti tha se pala e Kosovës e ka vlerësuar si hap në drejtim të duhur, ndrësa pala serbe „e ka refuzuar ate“.