Gjermania mbetet vend atraktiv për investime të huaja

Gjermania mbetet edhe më tutje një vend tërheqës për investimet e huaja. Interesimi në rritje i firmave nga SHBA, Britania e Madhe dhe Turqia vazhdon t’i mbajë në nivel të qëndrueshëm investimet e huaja në Gjermani, pavarësisht nga kriza energjetike.

Sipas të dhënave të shoqatës federale për nxitjen e ekonomisë „Germany Trade & Invest“ (GTAI), vitin e kaluar në Gjermani u regjistruan 1.783 hapje ndërmarrjesh të reja dhe zgjerime ndërmarrjesh ekzistuese nga vendet e tjera. Kjo shifër është 23 më pak se në vitin 2021, por 101 më shumë se në vitin 2020.

Cani Travel

„Duke pasur parasysh kushtet e vështira si lufta në Ukrainë, kriza energjetike dhe zhvillimet pas Coronës, mund të thuash se ky është sukses,” thotë drejtori ekzekutiv i GTAI, Robert Hermann. Interesimi për investime në Gjermani ka të bëjë edhe me faktin se firmat e huaja investojnë më shumë në teknologjitë e të ardhmes, si për shembull në fushën e gjysmëpërçuesve, prodhimin dhe riciklimin e baterive. Rreth 15 për qind e firmave ndërkombëtare duan të prodhojnë në Gjermani ose të merren me kërkime dhe zhvillimin.

Investitori kryesor mbetet edhe më tutje SHBA, që ka 279 projekte në Gjermani. Në vend të dytë pason Zvicra me 208 projekte dhe Britania e Madhe me 170 projekte. „Të dy vendet nuk janë vende anëtare të BE, por duan të kenë një këmbë në BE dhe shpesh vendosin për Gjermaninë,” thotë drejtori ekzekutiv i „Germany Trade & Invest“. Në vend të katërt është Kina me 144 projekte, shifrën më të ulët që prej vitit 2014.