Gjermania nuk do të pranojë më imamë nga Turqia

Një program trajnimi që dërgon imamë turq në xhamitë gjermane do të ndërpritet gradualisht, pasi Gjermania kërkon të përgatisë klerikët e saj myslimanë për të inkurajuar integrimin, njoftoi të enjten Ministria e Brendshme e Gjermanisë.

Sipas një marrëveshjeje të re midis ministrisë, autoritetit fetar turk Diyanet dhe grupit koordinues turko-islamik DITIB, në qytetin Dahlem, në perëndim të Gjermanisë do të përgatiten çdo vit rreth 100 imamë. Këta imamë do të zëvendësojnë gradualisht rreth 1000 klerikët e trajnuar dhe të punësuar nga Diyaneti turk. „Ne kemi nevojë për liderë fetarë që flasin gjuhën tonë, njohin vendin tonë dhe mbrojnë vlerat tona,“ tha në një deklaratë Nancy Faeser, ministrja e Brendshme e Gjermanisë.

Cani Travel

„Ne duam që imamët të marrin pjesë në dialogun midis feve dhe të diskutojnë çështjet e besimit në shoqërinë tonë,“ shtoi Faeser.

Sipas Konferencës Gjermane për Islamin (DIK), në Gjermani jetojnë rreth 5.5 milionë myslimanë, ose afërsisht 6.6% e popullsisë. „Ky është një hap i rëndësishëm për integrimin dhe pjesëmarrjen e komuniteteve myslimane,” tha Faeser.

Gjermania ka rreth 2500 komunitete të xhamive, nga të cilat 900 menaxhohen nga DITIB. Një degë e Presidencës së Çështjeve Fetare të Ankarasë, DITIB është shoqata më e madhe islamike e Gjermanisë, por atë e kanë akuzuar se vepron si një dorë e zgjatur i qeverisë turke.

(DW)