Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW) publikoi raportin për vitin 2022, ku ndër tjera, bëhet fjalë edhe për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. HRW monitoroi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2022 në 100 vende të botës, duke përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën (BeH), Kosovën dhe Serbinë.Gjendja e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor ende karakterizohet nga ndjekja e ngadaltë e krimeve të luftës, qëndrimi i dobët ndaj të drejtave të minoriteteve, grave dhe komunitetit LGBT, si dhe liritë e dobëta të medias, vlerëson HRW.
Problemet që përmenden në këtë raport lidhur me Kosovën janë: tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës, kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve, vrasjet e grave nga bashkëshortët dhe diskriminimi i komunitetit LGBT+. Human Rights Watch trajtoi çështjen e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, reagimin e dobët të organeve të shtetit. Sipas raportit, në periudhën janar-gusht 2022, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë regjistruar 22 raste të sulmeve, katër raste më shumë se në vitin 2021 për ngacmimet dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe organeve të medias. HRW e citoi AGK-në të ketë thënë se hetimet penale për këto raste janë të ngadalshme.
Në raportin e Human Rights Watch përmenden edhe 310 kthime të detyruara në Kosovë, shumica nga Gjermania, ku në mesin e tyre ishin 38 fëmijë, gjashtë romë, 13 ashkali dhe të tjerë shqiptarë etnikë. HRW trajtoi edhe problemin e dhunës ndaj gjinisë femërore në Kosovë, ku është përmendur rasti i dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë të dyshuar dhe vrasja e grave nga bashkëshortët e tyre.“Të mbijetuarit e dhunës në familje vazhdojnë të përballen me pengesa për të marrë mbrojtje, duke përfshirë disa ndjekje penale dhe dështimin e gjyqtarëve për të lëshuar urdhra ndalimi kundër dhunuesve, si dhe ulje të dënimeve në rastet e vrasjeve të grave nga bashkëshortët e tyre, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës”, thuhet në raportin e HRW.