Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur sot (01.08.2023) se shkrimtarit të famshëm shqiptar, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Në një komunikate për medie thuhet se presidentja Osmani në arsyetimin e dhënies së nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare, ka vlerësuar se është nderim për shtetin e Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t`i dorëzohet nga presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.
Ismail Kadare, është dekoruar sivjet edhe me urdhrin “Hasan Prishtina”, urdhër i cili jepet nga Presidenca e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.