Kosova angazhon punëtorë nga Azia

Bangladeshi, Nepali, India dhe Turqia janë shtetet nga të cilat disa kompani kosovare kanë kthyer sytë për fuqi punëtore. Arsyeja? Ka mungesë të punëtorëve vendës.

H.Th., nga një kompani në fushën e ndërtimit në Malishevë – komunë në jugun e Kosovës – thotë për Radion Evropa e Lirë se qe dy muaj kanë marrë disa punëtorë nga Bangladeshi, shtet në Azinë Jugore.

Cani Travel

“Aktualisht i kemi 13-14 punëtorë nga Bangladeshi. I kemi marrë para dy muajsh. Ata kryejnë punë në ndërtim, janë punëtorë fizikë. Po mësohen gradualisht, nuk janë profesionistë në këtë lëmi, por po mësohen”, thotë ai, duke mos dashur të specifikojë më shumë.

Se numri i punëtorëve të huaj në Kosovë është rritur muajve të fundit dëshmohet nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në periudhën janar-qershor të këtij viti janë bërë 1.858 kërkesa për leje qëndrimi në Kosovë për qëllim pune nga shtetas të huaj. Ndërkaq, 1.391 kanë fituar leje qëndrimi të përkohshëm.

Në këto kërkesa, me numrin më të madh prijnë shtetasit nga Turqia dhe dhe Bangladeshi.

Përkundër shkallës së papunësisë që arrin në mbi 16 për qind, Kosova ka vite që përballet me mungesë punëtorësh të profileve të ndryshme.

Gastronomia, ndërtimtaria, bujqësia dhe tekstili janë sektorët me mungesën më të madhe të punëtorëve në Kosovë.

Interesimi i qytetarëve të Kosovës për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye.

Sipas Inspektoratit të Punës, këto arsye lidhen me orarin e stërzgjatur të punës, pagat e ulëta, mungesën e kontratës, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë e të tjera.

Një tjetër arsye që ka çuar në krizë për punëtorë në Kosovë është edhe emigrimi i qytetarëve.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për mbi 42.000 qytetarë të larguar nga Kosova në vitin 2021, për arsye të ndryshme, ndër to edhe për qëllime pune.

(Radio Evropa e Lirë)