Kërkohet pezulimi i vendimit për ndalimin e dinarit serb në Kosovë

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, u takua sot me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmeti Ismaili. Në llogarinë e tij në “X”, Hovenier ka shkruar se i ka kërkuar guvernatorit që ta shtyjë zbatimin e vendimit për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb.

„Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ te qytetarët”, ka shkruar Hovenieri.

Cani Travel

Edhe pesë shtete të QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës “të pezullojë” përkohësisht vendimin mbi ndalimin e dinarit serb në bazë të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Ambasadorët e QUINT, ku bëjnë pjesë SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe në një komunikatë të përbashkët, theksuan se „pezullimi do të mundësonte një periudhë të mjaftueshme tranzicioni për komunikim të qartë dhe efektiv publik” dhe shtuan se „çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. „Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa apo ndihma financiare nga Serbia”, thuhet në komunikatën e QUINT-it.

Ditë më parë, Bashkimi Evropian, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë, që të shmangin veprimet e pakoordinuara, të cilat nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve, vendime këto që mund të ndikojnë negativisht në situatën në terren.