Kombëtarja shqiptare ka mbërritur dje në Gjermani, ku më 14 qershor fillon Kampionati Europian në Futboll Euro 2024. Ekipi shqiptar është skuadër e parë finaliste e Europianit që zbarkon në Gjermani.
Kuqezinjtë u pritën në një atmosferë shumë të mirë në Aeroportin e Dyseldorfit.
Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, zyrtarë të UEFA-s, përfaqësues të lartë të aeroportit por edhe disa fëmijë nga komuniteti shqiptar në Dusseldorf, mirëpritën Kombëtaren shqiptare duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në Kampionatin Europian.
Kombëtarja shqiptare është nisur pastaj drejt Dortmundit, ku do të vendoset në kampin bazë gjatë ditëve të qëndrimit në Gjermani për finalet e “EURO 2024” në “SportCentrum” Kaiserau.