Kosova dhe Gjermania nënshkruan marrëveshje për transportin ndërkombëtar rrugor

Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshje për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave, njoftoi Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Sekretari i Shtetit në Ministrinë Federale për Digjitalizim dhe Transport, Hartmut Höppner, si dhe Drejtori për Evropën Juglindore, Turqinë, EFTA, OSBE dhe Këshillin e Evropës në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Reiffenstuel.

Cani Travel

„Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm në lehtësimin e lëvizjes dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona. Ajo do të mundësojë një qarkullim më efikas të njerëzve dhe mallrave, duke përmirësuar lidhjet tregtare dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të përbashkët.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në tregun evropian, si dhe për thellimin e marrëdhënieve tona bilaterale” ka shkruar ambasadori Ajeti në Facebook.