Kosovë: Çmimet e larta, ankohen qytetarët

Çmimet e ngritura të produkteve ushqimore dhe atyre esenciale, kanë rënduar në masë të madhe qytetarët. Ata ankohen se standardet jetësore në vend nuk përkojnë me realitetin, për çka thonë se shporta familjare po u varfërohet dita-ditës.

„Tepër shtrenjtë. Veç kilogrami i specit 5 euro, 10 euro kilogrami i mishit, është diçka e tepërt. Ne ia dalim se katër anëtarë punojmë e katër shpezojmë, por për një familje që është me një burim është e tepërt, jo normale”, tha Drita Bislimi, qytetare.

Cani Travel

„Realisht ka ngritje të çmimeve, po vërehet. Standardi në Kosovë është i ulët, e realisht po mundohemi me ia dal me ato kushte qysh i kemi“, tha Ardrit Namligjiu, qytetar.

„Është shtrenjtë. Tani në kohën e Ramazanit veç i kanë shtrenjtu edhe më shumë gjërat, asnjë nuk ka ndonjë lirim“, u shpreh Ardrit Namligjiu.

Edhe Lulzim Krasniqi i cili jeton në Gjermani dhe po i kalon pushimet në vendlindje, thotë se çmimet janë mjaft të larta në Kosovë.

Ekonomisti Safet Gërxhaliu thotë se inflacioni me të cilin po përballet Kosova po e zhyt vendin në një krizë sa ekonomike po aq sociale, pasi sipas tij, ngritja e çmimeve të pakontrolluara po godet në masë të madhe qytetarin. 

„Bazuar nga indikatorët real ekonomik, 100 eurot e vitit 2021, sot e kanë vlerën e 65 eurove në 100% te të hyrat në vitin 2021 për shpenzime esenciale kanë qenë 35 % të orientuara ndërkaq sot jo më tepër se 60% dhe në këtë drejtim defenitivisht Kosova është duke u zhytur në një krizë sa ekonomike po aq edhe sociale. Prandaj besoj që duhet performacë, duhet dialog, duhet mbështetje e sektorit privat. Duhet përgjegjësi dhe llogaridhënie në ndërmarrje publike që përmes performacës të ketë mundësi të rriten të hyrat dhe të rriten pagat“, deklaroi Gërxhaliu.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se: Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në muajin shkurt 2024, krahasuar me muajin shkurt 2023.

 Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë tek energjia elektrike (11,5%), lëndët djegëse (8,3%), prodhimet ushqimore (5,8%), kafja e çaji (4,4%), buka dhe drithërat (2,3%) dhe mishi (1,3%) etj.

Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrat (-6,0%), qumështi, djathi dhe vezët me -5,8%).

(RTK)