Shefi i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj, thotë se nga fillimi i vitit është regjistruar një numër i madh i serbëve të Kosovës që janë pajisur me pasaportën e këtij vendi. E ndër shkaqet për këtë, siç njoftojnë mediat e Kosovës, është liberalizimi i vizave.
Njëkohësisht, sipas tij, shumë shtetas serbë të Kosovës kanë filluar t’i konvertojnë edhe targat e automjeteve. Camaj thotë se mbi katër mijë (saktësisht 4248) pronarë serbë të automjeteve kanë konvertuar targat e vjetra në ato të Republikës së Kosovës. Ndërsa numri i qytetarëve serbë të pajisur me letërnjoftim të Kosovës është rreth 105.000.
Në periudhën prej fillimit të vitit 2024 dhe liberlizimit të vizave është shtuar dukshëm edhe numri i shtetasve shqiptarë të Kosovës që kanë marrë pasaporta. Nga janari deri në gjysmën e gushtit, pasaporta të reja kanë marrë mbi 318.000 qytetarë. Ndërsa lajmi i mirë, sipas Camajt, është se autoritetet kanë tejkaluar problemet me mungesën e stafit dhe me mungesën e materialeve për pasaporta.