Mungesa i ilaçeve në Gjermani

Në farmacitë e Gjermanisë po mungojnë aktualisht shumë medikamente, duke filluar nga shurupet për uljen e temperaturës tek fëmijët e deri tek ilaçet për trajtimin e tumoreve. Kjo është një situatë që nuk ka ndodhur kurrë deri tani në Gjermani. Arsyeja është se pothuajse nuk ka prodhim vendas të disa ilaçeve dhe kjo nuk është fitimprurëse për prodhuesit.

Farmacistët gjermanë ankohen se u mungojnë antibiotikët, ilaçet kundër dhimbjeve, por edhe ato për presionin, kancerin, stomakun, zemrën. Një problem shumë i madh është sidomos mungesa e shurupeve për uljen e temperaturës tek fëmijët, sepse foshnjat dhe fëmijët e vegjël nuk mund të gëlltisin pilula. Në Gjermani shiten më shumë se dhjetë milionë shurupe të tillë çdo vit, por aktualisht raftet në shumë farmaci janë kryesisht bosh. Mungojnë edhe shurupe me penicilinë dhe antibiotikë të tjerë për fëmijë të vegjël.

Cani Travel

Ekspertët konsiderojnë se çmimi i medikamenteve është shkaku kryesor i mungesës së ilaçeve në Gjermani. Prodhimi i disa preparateve në Gjermani dhe Evropë nuk është fitimprurës për industrinë farmaceutike. Mjekët, por edhe politikanët e opozitës, kërkojnë masa urgjente nga qeveria federale. Ata bëjnë thirrje edhe për organizimin e një samiti të qeverisë federale me ato ta landeve, ku do të shqyrtohej mundësia e furnizimit të centralizuar me medikamente. Ekspertët angazhohen për prodhimin shtetëror të barnave esenciale në Gjermani. Është koha, thonë ata, që prodhimi të kthehet nga Azia në Gjermani.

Ministria e Shëndetësisë paralajmëroi marrjen e masave për zgjidhjen e problemit të mungesës së barnave. Ajo planifikon të ndryshojë disa rregulla për caktimin e çmimeve për ilaçet për fëmijë, si dhe të medikamenteve kundër kancerit dhe antibiotikë për të rriturit.