Shifra rekorde të infektimeve në Gjermani

Instituti Robert Koch ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit në Gjermani janë shënuar sërish shifra rekorde të infektimeve me virusin Corona.

Instituti “Robert Koch” bën të ditur se në këtë periudhë janë regjistruar 39.676 raste të reja të infektimeve, që është shifra më e lartë prej fillimit të pandemisë, bën të ditur Diaspora Today. Njëkohësisht në Gjermani gati çdo ditë ka rreth 150 – 200 vdekje të reja nga virusi Corona.

Cani Travel

Indicenca e infektimeve në 24 orët e fundit ka qenë 232 të infektuar në 100.000 banorë brenda një jave, që po ashtu është rekord, prej fillimit të pandemisë në mars të vitit 2020. Gjndja më e keqe është në Bavari, Saksoni dhe Tyringji, ndërsa gjendja më e mirë për momentin është në landin Renania Veriore-Vestfalia (NRW).

Spitali “Charite” në Berlin ka bërë të ditur se të martën është dashur t’i anulojë disa operacione të planifikuara për shkak të numrit të anëtarëve të stafit që po kujdesen për personat me Covid-19. Autoritetet kanë thënë se shumica e pacientëve të fundit janë të pavaksinuar.

“Tash për tash kemi një situatë emergjente të vërtetë. Duhet të bëjmë diçka mu tani”, tha Christian Drosten, drejtor i virologjisë në spitalin “Charite”, kur foli për gjendjen në shumë reparte të kujdesit invensiv të spitaleve në mbarë vendin.

Instituti Leopoldina ka rekomanduar sot që për disa kategori që kujdesen për të moshuarit si dhe për mësues të futet obligimi i vaksinimit. Ndërsa Komisioni i Përhershëm për Vaksinim, STIKO, rekomandon që personat nën 30 vjeç të vaksinohen vetëm me vaksina Biontech, pasi që tek disa vaksina të tjera janë regjistruar raste të efekteve anësore në zemër.