Qytetarët gjermanë nuk kanë qenë kurrë kaq të pakënaqur me qeverinë federale dhe tre partitë që e përbëjnë atë, Socialdemokratët (SPD), Të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP). Dy të tretat e të anketuarve nuk janë të kënaqur me qeverinë aktuale, dhe vetëm një nga pesë qytetarë e vlerëson pozitivisht koalicionin qeverisës. Kjo rezulton nga sondazhi aktual i opinionit publik „Trendi Gjerman“ (Deutschlandtrend), i cili bëhet rregullisht nga instituti Infratest-dimap. Ky sondazh u zhvillua më 30 dhe 31 maj 2023 dhe në atë u anketan reth 1.300 gjermanë.
Partia estreme e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) përfiton më së shumti nga pakënaqësia e qytetarëve me qeverinë. Krahasuar me sondazhin e bërë një muaj më parë, ajo është forcuar me dy për qind dhe nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, kjo parti do të fitonte 18 për qind të votave. Numrin e njëjtë të votave, pra 18 për qind, do të fitonte edhe Partia Socialdemokrate, e cila është tani në pushtet, bashkë me të gjelbërit dhe liberalët. Partia e Gjelbër do të fitonte 15 për qind, kurse liberalët (FDP) – 7 për qind të votave. Kristiandemokratët (CDU/CSU) do të fitonin numrin më të madh të votave – 29 për qind.
Studiuesit e opinionit publik në këtë sondazh i kushtuan vëmendje të veçantë mbështetësve të AfD-së dhe i pyetën pse votojnë për atë parti. Nga përgjigjet mund të shihet se arsyeja kryesore është pakënaqësia me politikën aktuale të qeverisë. Shumica e të anketuarëve (67 për qind) thonë se do të votonin për AfD-në sepse janë të zhgënjyer me partitë e tjera. Vetëm një e treta (32 përqind) deklarojnë se mbështesin politikën e AfD.
Pjesëmarrësit e sondazhit u pyetën gjithashtu se cilat tema ishin më të rëndësishmet për vendimin e tyre për të votuar për AfD-në. Dy të tretat e tyre thonë se gjëja më e rëndësishme për ta është qëndrimi kritik i AfD-së ndaj emigrimit të të huajve. Për 47 për qind janë të rëndësishme diskutimet aktuale për mbrojtjen e mjedisit, klimës dhe furnizimit me energji dhe për 43 për qind, çështjet ekonomike janë më të rëndësishme .
Duhet theksuar se sondazhi i opinionit publik „Trendi Gjerman“(Deutschlandtrend),pasqyron vetëm momentin aktual të disponimit të votuesve në Gjermani. Pra, fjala është vetëm për atë si do të votonin qytetarët gjermanë sikur zgjedhjet të mbaheshin tani.