Donald Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe menjëherë pas inaugurimit mori disa vendime të rëndësishme, të cilat i ka premtuar në fushatë.
Në ditën e parë të mandatit të dytë, presidenti amerikan nënshkroi largimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Marrëveshja e Klimës në Paris. Trump ka vendosur për ta larguar SHBA-në edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Presidenti amerikan ka falur po ashtu shumicën e njerëzve që akuzoheshin për trazirat e 6 janarit 2021 në Capitol. Ai ka thënë se vendimi për falje mbulon rreth 1500 persona.
Trump nënshkroi edhe një urdhër për t’i dhënë fund një politike që u jep automatikisht shtetësinë amerikane atyre që lindin në Shtetet e Bashkuara. Një urdhër tjetër ekzekutiv shpalli kartelet e drogës meksikane si organizata terroriste.
Ai gjithashtu tha se do të nxirrte urdhra për të hequr programet federale të diversitetit dhe për të kërkuar që qeveria të njohë vetëm gjinitë e përcaktuara në lindje.
Donald Trump bëri betimin si president të hënën në ndërtesën e Kapitolit dhe, gjatë ceremonisë, ai e prezantoi veten si një shpëtimtar të zgjedhur nga Zoti për të shpëtuar një komb në rënie.
“Unë u shpëtova nga Zoti për ta bërë Amerikën të madhe sërish”, tha Trump, duke shtuar se tani „fillon epoka e artë e Amerikës“.