Policia e Kosovës bëri të ditur se nëntë persona janë lënduar sot në mëngjes nga shpërthimi i një granate dore në tregun e kafshëve në Prizren.
“Sot, më datë 22.11.2023, rreth orës 04:50, Policia ka pranuar informatë për një rast plagosje te tregu i kafshëve në Prizren. Nga informatat e para dyshohet se 9 persona kanë pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore. Të gjithë të lënduarit janë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, duke marrë trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar gjithashtu. Në vendngjarje kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë. Tre te dyshuar janë identifikuar dhe janë në kërkim policor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Siç mësohet, të lënduarit nga granata e dorës në Prizren janë jashtë rrezikut për jetë dhe kanë marrë lëndime të lehta në trup.