Njerëzit që vijnë në Gjermani për të punuar përballen në fillim me shumë vështirësi. Kjo vlen edhe për punonjës të kualifikuar, të cilët theksojnë se do të dëshironin më tepër mbështetje kur kërkojnë një punë në Gjermani. Në një sondazh jo-përfaqësues të zhvilluar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) me afro 30.000 persona që duan të vijnë në Gjermani për të punuar, rreth katër nga pesë pjesëmarrës thanë se pengesa më e madhe është gjetja e ofertave për punë dhe kontaktimi me punëdhënësit, njofton Diaspora Today.
Tre nga pesë të anketuarit deklaruan se do të dëshironin ndihmë edhe për mësimin e gjuhës gjermane. 74 për qind e pjesëmarrësve në këtë sondazh kanë diplomë universitare. Pjesa më e madhe (19 për qind) vjen nga India – kryesisht specialistë të IT-së. Në vendin e dytë është Kolumbia (10 për qind), ku interes për të punuar në Gjermani kanë sidomos infermierë dhe personel sanitar. Në vendin e tretë gjendet Turqia (nëntë për qind), nga e cila zakonisht dëshirojnë të vijnë njerëzit që merren me zanate të ndryshme.
Sipas sondazhit të bërë, shumica e atyre që dëshirojnë të punojnë në Gjermani janë burra – rreth 70 për qind, e pothuajse gjysma e pjesëmarrësve ishin beqarë. Nga njerëzit e martuar, 80 për qind u shprehën se dëshirojnë të marrin edhe familjet me vete. Parakushti kryesor për migrimin ne Gjermani është kontrata e punës. Mirëpo, që nga viti 2020 në Gjermani kanë pasur mundësi të vinin për një gjysëm viti për të kërkuar punë edhe punonjës të kualifikuar me një kualifikim që u njihet në Gjermani, shkruan Diaspora Today.
Ditë më parë, përkatësisht më 02.12.2022, Bundestagu gjerman miratoi ndryshimet e Ligjit mbi migracionin, me të cilat do të thjeshtësohen rregullat e deritanishme dhe do të hiqen pengesat e shumta. Vlerësohet se për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore në të ardhmen, Gjermanisë i duhen qindra-mijëra emigrantë në vit. Me ndryshimet e miratuara, të interesuarit në të ardhmen do të jenë në gjendje të punësohen edhe pa iu njohur kualifikimi, gjë që do ta bëjnë më vonë në Gjermani. Po ashtu, kur është fjala për punëtorët e kualifikuar, ata mund të marrin familjet e tyre menjëherë edhe pa njohjen e gjuhës gjermane.