Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë

Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë, pasi çdo muaj po ikin nga vendi profesionistët shëndetësorë.

Papunësia, kushtet jo të mira të punës e pakënaqësitë me shumën e pagës janë disa nga arsyet kryesore pse mjekët po e braktisin Kosovën.

Cani Travel

Ministria e Shëndetësisë thotë se është duke punuar të krijojë kushte me të mira për stafin shëndetësor në vend dhe se po i përkrah dhe mbështet mjekët.

“Ministria e Shëndetësisë është duke vazhduar me investime në infrastrukturë e pajisje mjekësore, në mënyrë që profesionistët të mund të shfaqin gjithë potencialin e tyre. Edhe në buxhetin e këtij viti është paraparë sigurimi i aparaturave, me qëllim të ngritjes së shërbimeve të reja”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë për FrontOnline.

Po ashtu, MSH-ja thotë se do të ketë rritje të pagave edhe vitin e ardhshëm.

“Qeveria e Kosovës ka rritur pagat për profesionistët shëndetësorë dhe aktualisht paga e një mjeku në Kosovë është ndër më të lartat në rajon. Krahas zhvillimit ekonomik me progres pozitiv rritja në koeficientin e pagës do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm”.

Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka treguar numrin e mjekëve që janë larguar nga Kosova përgjatë tre muajve të parë të këtij viti.

“Sa i përket numrit të mjekëve, trendi po vazhdon i njëjti. Deri më sot janë 29 mjekë që kanë marrë dokumentacionin e duhur për punësim në shtetet evropiane. Pra janë 29 mjekë që janë larguar në tre muajt e parë të këtij viti e që është numër i njëjtë me tre muajt e parë të vitit të kaluar”, thotë ai.

Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës më tej tregon se ka më shumë se dy vjet që Oda të cilën ai e drejton nuk ka pasur takim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Shqetësues largimin e mjekëve nga Kosova e sheh edhe Tevide Imeri, kryetare e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë. Ajo thotë se nëse vazhdon ky trend do të jetë shqetësues.

“Nëse ndiqet trendi i largimit të mjekëve si në vitin 2023, duke ia shtuar këtu faktin edhe të masave të reja, të cilat i kanë marr vende si Gjermania, mund të themi se numri për këtë vit mund të jetë edhe më shqetësues’’, thekson Imeri.

Imeri thotë se sipas informatave që ajo ka janë rreth 300 mjekë dhe infermierë që kanë ikur nga Kosova.

(Zëri)