Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë pohon se gjithëçka është gati për zgjedhjet lokale që zhvillohen me 17 tetor. Në një konferencë për media sot është bërë e ditur se nga vendet tjera me postë kanë mbërritur vetëm 5.649 pako të supozuara me fletëvotime. Votimi për mërgimtarët me postë ka qenë i mundur prej 15 shtator deri 15 tetor. Për dallim prej zgjedhjeve parlamentare me 14 shkurt, interesimi i mërgimtarëve për zgjedhjet lokale ka qenë shumë më i vogël
Shefi i sekretariatit të KQZ Burim Ahmetaj tha se në orët e mëngjesit të 16 tetorit, nëpër komunat e Kosovës janë dërguar të gjitha materialet e nevojshme për ditën e zgjedhjeve. Ndëra kryetari i KQZ, Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
“Vota juaj ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse ju do të zgjidhni përfaqësuesit tuaj që do të qeverisin me komunën tuaj për katër vjetët e ardhshëm”, tha Radoniqi.
Sa njerëz kanë të drejtë votimi?
Në zgjedhjet e nesërme do të zgjedhen kryetarët e komunave dh easambletë komunale në 38 komuna. Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe për një asamblist.