Shtohet dukshëm shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Gjermanisë

Në tre muajt e parë të vitit 2023 është shënuar një rritje e dukshme e eksportit dhe importit mes Kosovës dhe Gjermanisë. Eksporti ishte 21 milionë euro, ndërsa importi plot 152 milionë euro.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka publikuar të dhënat e përpunuara prej raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2023, lidhur me raportet e tregtisë së jashtme mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Cani Travel

Eksporti në periudhën Janar-Mars 2023 ka arritur vlerën e rreth 21 milionë eurove, që ka pjesëmarrje prej 9.8% në eksportin e përgjithshëm të vendit.

Produktet më të eksportuara nga Kosova drejt Gjermanisë kanë qenë: Dyer dhe Dritare, Materiale ndërtimi prej plastikës dhe Kasaforta të blinduara apo të përforcuara.

Në anën tjetër është vërejtur një vlerë shumë më e madhe e importit nga Gjermania, që ka arritur shumën prej rreth 152 milionë eurove, që përbën 7.8% të gjithë importit në vend.

Produktet më të importuara gjermane në Kosovë kanë qenë automjetet. Më pas vijnë shufrat, shkopinjtë apo profilet prej polimereve të vinil kloridit dhe në fund vijnë cigaret.