Situata rreth mungesës së punëtorëve të kualifikuar në Gjermani është përkeqësuar vitin e kaluar. Sipas një hulumtimi të Institutit Gjerman për Ekonomi (IW), më shumë se 630.000 vende pune në mbarë vendin kanë mbetur të lira në vitin 2022 për shkak të mungesës së aplikantëve të kualifikuar. Këto shifra tregojnë se mungesa e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani arriti rekord vitin e kaluar. Ishte kjo mungesa më e madhe e punëtorëve të kualifikuar që nga fillimi i vëzhgimit të këtij problemi në vitin 2010.
Siç bëhet e ditur, mungesa më e madhe e punëtorëve të kualifikuar është në fushën e shëndetësisë, çështjeve sociale, mësimdhënies dhe arsimit si dhe në fushën e ndërtimit, arkitekturës, dhe teknologjisë së ndërtimit, ku gjashtë nga dhjetë vende të lira nuk mund të plotësoheshin. Po ashtu, mungesa e punëtorëve të kualifikuar ishte mbi mesataren edhe në fushat e shkencave natyrore, gjeografisë dhe IT-së. Në sektorin e shërbimeve tregtare, tregtisë së mallrave, shitjeve, hotelierisë dhe turizmit, shkalla e mungesës së punëtorëve të kualifikuar është gati trefishuar vitin e kaluar.
Sipas vlerësimit të Institutit Gjerman të Ekonomisë, aktualisht në tregun e punës vlen rregulli: sa më i lartë të jetë kualifikimi i kërkuar, aq më shumë punëtorë mungojnë. Në Gjermani kërkohen veçanërisht ekspertë me diplomë universitare në fushat e shkencave kompjuterike, inxhinierisë elektrike, planifikimin dhe mbikëqyrjen e ndërtimit.