Trump uron 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i ka dërguar presidentes Vjosa Osmani një letër urimi për 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, të cilin e ka bërë publik Presidenca e Kosovës, presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces. 

Cani Travel

„Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi“, thuhet në mesazhin e Trumpit.

Presidenti amerikan theksoi gjithashtu nevojën e integrimit të Kosovës në komunitetin euroatlantik. Ai shtoi se „mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë“.