Unioni i Bizneseve Shqiptare-Gjermane ne Gjermani vazhdon me aktivitetet e veta dhe formimin e degëve të reja në Gjermani. Këto ditë u themelua edhe dega organizative e Unionit të Bizneseve në Frankfurt am Main. Kjo degë organizative e Unionit të Bizneseve do të perfshijë landet: Hessen, Rheinland-Pfalz, Saarland e deri te qyteti i Bavarisë, Aschaffenburg.
Në takimin e organizuar me këtë rast në Konsullaten e përgjitheshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt, u zgjodh edhe udhëheqja e kësaj dege. Kryetari i saj është Ukë Blakaj, afarist i sukseshëm në Gjermani e Kosovë, e nënkryetarë janë: Shkëndije Berisha Pacolli, afariste dhe psikologe nga Rheinland-Pfalz, dhe Irfan Tërnava, afarist nga Saarland.
Kryetari i Unionit të Bizneseve, Nazmi Viqa, potencoi se një rëndësi e veçantë do t’i jepet inkuadrimit të femrave shqiptare në aktivitetin e unionit dhe ishte shumë i lumtur që në këtë takim ishin prezente disa nga gratë e vajzat e suksesshme në Gjermani.
Të pranishmit i përshëndeti edhe konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi. Ai shprehu gatishmërinë e Konsullatës që të jetë në dispozicion për cfarëdo që kërkohet lidhur me promovimin, apo shtytjen e bizneseve, të cilat në Gjermani e Kosovë po bartin barren kryesore të zhvillimit ekonomik.