„Njohja de-facto e Kosovës nga Serbia nënkupton implementimin e Aneksit të dakorduar në Ohër në mars të këtij viti“, tha sot në Beograd, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pas takimit të sotëm në Beograd, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë nënkupton njohja de-facto e Kosovës, që e ka përmendur në Prishtinë një ditë më parë dhe që po e kërkojnë liderët evropianë, Von der Leyen tha: “Për çfarë bëhet fjalë – për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë pranimin e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe shkon krahas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta zbatojë Kosova”.
Sipas fjalëve të saj, një gjë e tillë do t’i hapte rrugë normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ka theksuar, se është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se “njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje për Serbinë” dhe se nuk i vjen turp ta përsërisë këtë edhe para presidentes së Komisionit Evropian.
“E dimë cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim”, ka thënë Vuçiq.