Parlamenti Evropian rizgjodhi sot Ursula von der Leyen si kryetare të Komisionit Evropian. Politikanja gjermane e kristiandemoratëve fitoi votën e Parlamentit Evropian për një mandat të dytë pesëvjeçar në këtë pozicion.
Nga 707 eurodeputetë, 401 votuan pro, 284 kundër dhe 15 abstenuan.
Në fjalën e saj para Parlamentit Evropian, von der Leyen u angazhua për një Evropë të fortë dhe për një luftë të vendosur kundër demagogëve dhe ekstremistëve. Ajo kritikoi ashpër vizitën e kryeministrit hungarez, Viktor Orban në Moskë.
Von der Leyen ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian do jetë një nga prioritetet kyçe në mandatin e saj të ardhshëm.
“Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë bërë zgjedhjen e tyre të lirë. Ata kanë zgjedhur lirinë mbi shtypjen. Ata kanë zgjedhur demokracinë në vend të varësisë. Dhe disa prej tyre po paguajnë një çmim të lartë për këtë zgjedhje. Pra, ne duhet të bëjmë zgjedhjen tonë dhe të tregojmë përkushtim të palëkundur. E ardhmja e tyre do të jetë e lirë dhe e begatë, brenda Unionit tonë”, tha von der Leyen para eurodeputetëve.