Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e pritur sot në Beograd ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor si dhe për qëndrimet e Serbisë ndaj kësaj gjendjeje.
Mediat serbe raportojnë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se ia ka dhënë fjalën minsitrit gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius se Serbia „s’do ta befasojë askënd me lëvizje ushtarake apo lëvizje të tjera“.
Vuçiq tha se ata kanë folur për Kosovën dhe shtoi se Serbia pajtohet se paqja dhe stabiliteti janë vendimtare, jo vetëm për rajonin por edhe për të gjithë Evropën.
“Ne folëm për stabilitetin në rajon. Ne kemi pikëpamje të ndryshme, veçanërisht në lidhje me Kosovën. Por ne pajtohemi se stabiliteti dhe paqja janë të një rëndësie vendimtare, jo vetëm për njerëzit e Ballkanit Perëndimor, por mund të themi për të gjithë Evropën. Askush nuk është i interesuar për asnjë lloj përshkallëzimi dhe destabiliteti”, tha Vuçiq në një konferencë të përbashkët me Pistorius.
Vuçiq ka treguar se i ka dhënë fjalën ministrit gjerman se Serbia nuk do të befasojë askënd me lëvizjet e saj ushtarake apo me lëvizje të tjera dhe se “do ta ruaj stabilitetin”.
“Fjala ime, me që ra fjala, do të thotë shumë më tepër se shumë nënshkrime që kam parë si në rajon ashtu edhe në Evropë. Është në interesin tonë të madh”, ka thënë Vuçiq.
Më parë Pistorius ka qenë edhe në Kosovë ku është takuar me autoritetet e këtij shteti, si dhe përfaqësuesit e Kforit. Gjermania ka planifikuar që të shtojë numrin e ushtarëve të saj pas tendosjeve të fundit në veri të Kosovës.