Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryetari i LSDM, Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë. Shkaku i dorëheqjes, rezultatet e dobëta në zgjedhjet lokale.
Zaev e bëri të ditur këtë vendim në një konferencë për media në Shkup, ku ka uruar kundërshtarët politikë për fitoren në zgjedhjet komunale.
“Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së”, tha Zaev.“
Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet, u shpreh ai.
“Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së”, ka shtuar Zaev.